Përpos Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), partitë tjera të mëdha në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë të vetme, me disa individ ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.
PDK, LDK, AAK e NISMA, si parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare llogarisin vetëm në forcat e veta.
Për analistin Muhamet Hajrullahu, fakti se NISMA nuk ka arritur koalicion as me LDK-në e me asnjë parti tjetër, ka qenë befasi.
Të pa natyrshme sipas tij janë edhe koalicionet e Lëvizjes Vetëvendosje me disa parti të vogla, por në anën tjetër edhe bashkimi i Eman Rrahmanit në listën e PDK-së, e Ferid Agani i cili i është bashkuar listës së LDK-së.
“Kjo tregon për mua njëfarë lloj pazari në momentet e fundit pra që nuk janë këto bashkime as me ideologji as bashkime që i lidh shumë njëra me tjetrën, kjo tregon se të gjitha këto subjekte, edhe të voglat, edhe të mëdhatë po tentojnë, ose tentuan që në momentet e fundit të marrin nga pak vota kudo që është e mundshme në Kosovë dhe kjo tregon që ata nuk janë bashkuar për ideologji apo bashkim për interesa nacionale a ku ta di unë por janë interesa të momentit të fundit të cilët mund të përfundojnë ndonjë votë”, ka thënë Muhamet Hajrullahu – Analist.
