Edhe gjatë kësaj jave, vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ndonëse të ngrohta në fillim të javës, për t’u pasuar nga masa më të ftohta në pjesën e dytë të saj.
Nën këto kushte, dita e hënë u karakterizua me diell dhe vranësira, ndërsa kryesisht rreth zonave malore në jug dhe perëndim të vendit pati edhe rrebeshe të izoluara shiu.
Edhe dita e martë parashikohet me kushte të ngjashme, me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa gjatë orëve të pasditës, kryesisht rreth zonave malore në jug dhe perëndim, priten rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike.
Të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë orëve të pasditës pritet që vranësirat të marrin karakter zhvillimi dhe lokalisht të përcillen me rrebeshe të izoluara shiu, por në zona të caktuara edhe më intensive, me mundësi për breshër dhe të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.
Nga dita e enjte, fillimisht do të mbajë mot me diell, ndërsa gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet shtim i vranësirave, të cilat do të pasohen nga një sistem frontal që vjen nga veriperëndimi i kontinentit, duke gjeneruar rrebeshe lokale shiu, shkarkesa rrufesh dhe lokalisht breshër.
