Haxhilerët kosovarë po kryejnë sot obligimin kryesor të Haxhit – qëndrimin në rrafshnaltën e Arafatit, që konsiderohet shtylla themelore e këtij rituali të rëndësishëm fetar për besimtarët myslimanë.
Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Arafat, vend ku duhet të qëndrojë secili besimtar që kryen Haxhin, haxhilerët kosovarë kanë falur namazin e drekës dhe të ikindisë të bashkuara. Këtij rituali i priu kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti.
Ligjëratën qendrore për rëndësinë dhe vlerat e Haxhit e mbajti anëtari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Agim Hyseni, ndërsa lutjen (duanë) e Haxhit e udhëhoqi imami Remzi Haziri.
Sipas literaturës islame, qëndrimi në Arafat nga koha e drekës deri në perëndim të diellit konsiderohet periudha më e vlefshme e vitit për lutje dhe adhurim gjatë ditës. Ndërkaq, nata më e vlefshme për lutje konsiderohet Nata e Kadrit.
