Në kantierin e Aeroportit të Vlorës pritet të rifillojnë punimet, pasi kompania MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, ka njoftuar rikthimin në terren.
Lajmi është bërë publik nga biznesmeni Behgjet Pacolli, i cili shkroi në një postim në Facebook se ky hap vjen në përputhje me vendimet e Gjykatës së Lartë, vendimet e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s të datës 18 qershor 2026, si dhe pas kërkesave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri.
Pacolli përmendi edhe qëndrimet publike të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili është shprehur se projekti i aeroportit nuk duhet të pengohet nga interesa të ngushta apo veprime të paligjshme dhe duhet të përfundojë sa më shpejt për t’u vënë në funksion.
Postimi i Pacollit:
AEROPORTI I VLORES❤️
Nesër, MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, do të rifillojë punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Ky veprim do të ndërmerret në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe me vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s. se dates 18/06/2026 si dhe në respekt të kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe qëndrimit të shprehur publikisht nga Kryeministri Edi Rama, se Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bjerë pre e interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme të askujt, por të përfundojë sa më parë dhe të hapet për operim. Pas një bllokade disamujore dhe përpjekjeve të personave që kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë tagër, punimet u penguan në mënyrë të dhunshme. Këta persona, madje me mbështetjen e strukturave të Policisë së Shtetit, ndërprenë aktivitetin në kantier dhe sekuestruan në mënyrë arbitrare pajisje, mjete pune dhe makineri private në pronësi të nënkontraktorëve.😡
