Ftesat për paraqitje në gjykatë, që institucionet e drejtësisë në Kosovë ua kanë dërguar personave që jetojnë në Serbi, të cilët dyshohen për krime lufte, kanë hapur debat publik: si i kanë siguruar institucionet e Kosovës adresat e tyre dhe kush ka marrë pjesë në dorëzimin e këtyre ftesave?
Pasi në rrjetet sociale u shfaqën pretendime se Serbia ua kishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës të dhënat personale të qytetarëve të saj, Ministria e Drejtësisë e Serbisë reagoi, duke thënë se institucionet shtetërore “nuk kanë marrë pjesë dhe nuk do të marrin pjesë në dorëzimin e këtyre letrave”.
Ajo shtoi se organet kompetente do t’i shqyrtojnë të gjitha rrethanat që, sipas saj, “kanë shqetësuar opinionin publik”.
“Qytetarët duhet ta dinë se nuk janë të detyruar t’i trajtojnë këto letra si akte të vlefshme”, thuhej, ndër të tjera, në njoftimin e ministrisë serbe.
Në pyetjet e Radios Evropa e Lirë se sa ftesa janë dërguar në adresa në Serbi dhe si janë dorëzuar ato, Prokuroria Speciale e Kosovës u përgjigj shkurtimisht: “Nuk kemi koment”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe, rrjedhimisht, nuk i njeh as institucionet e saj.
Për këtë arsye, mes dy vendeve nuk ka bashkëpunim të drejtpërdrejtë juridik.
Bashkëpunimi zhvillohet përmes misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), i cili, ndër të tjera, mbikëqyr funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në vitin 2018, EULEX-i ua kaloi institucioneve vendore të Kosovës të gjitha rastet që lidhen me krimet e luftës.
Nga EULEX-i thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë ndërmjetësuar në dorëzimin e fundit të ftesave për marrje në pyetje në rastet e krimeve të luftës, të dërguara në adresat e personave që jetojnë në Serbi.
Si mbërritën ftesat në adresat në Serbi?
Ish-komandanti i Xhandarmërisë së Serbisë, Goran Radosavleviq Guri, deklaroi në fillim të qershorit se veteranë të ushtrisë dhe policisë serbe kanë marrë ftesa për marrje në pyetje në adresat e tyre në Serbi.
Ai shprehu dyshimin se “dikush nga tanët” ua ka dhënë autoriteteve të Kosovës të dhënat e tyre personale.
Shtetet e Bashkuara e lidhin Radosavleviqin me vrasjen e vëllezërve Bytyqi pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999.
Në rrjetet sociale, ndërkohë, nisën të qarkullonin pretendime se ftesat nga Kosova janë dërguar në adresat në Serbi përmes Vjenës.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha dërgesat postare mes Kosovës dhe Serbisë kalojnë përmes shkëmbimit ndërkombëtar, pasi Beogradi dhe Prishtina nuk kanë marrëveshje për bashkëpunim postar.
“Nuk kalojnë vetëm përmes Vjenës, por edhe përmes qyteteve të tjera, si Lubjana dhe Budapesti. Të gjitha dërgesat nga Prishtina klasifikohen në Vjenë dhe, më pas, ato që janë të adresuara për Serbinë, dërgohen atje. E njëjta procedurë vlen edhe për letrat që dërgohen nga Beogradi drejt ndonjë vendi në Kosovë”, thotë Angjellkoviq.
Deputeti i partisë në pushtet në Serbi, Partia Përparimtare Serbe, dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Çështje të Brendshme, Millovan Drecun, tha se nuk e di se si institucionet e Kosovës kanë siguruar adresat e ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë.
Sipas informacioneve që ai ka, “ka shumë adresa të pasakta dhe të paplota”.
Drecun rikujtoi se me Marrëveshjen e Brukselit është paraparë një mekanizëm për ndihmë juridike ndërkombëtare që duhet të funksionojë përmes EULEX-it, por, sipas tij, institucionet e Kosovës e kanë anashkaluar këtë mekanizëm dhe “ua kanë dërguar ftesat drejtpërdrejt njerëzve”.
Kosova dhe Serbia arritën në vitin 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, por ajo nuk ka funksionuar në praktikë.
