Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pasi Gjykata Speciale në Hagë shpalli fajtorë dhe dënoi ish-drejtuesit e UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Përmes një njoftimi për media, OVL-UÇK e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë aktgjykim, duke e cilësuar si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj luftës çlirimtare dhe sakrificës së popullit të Kosovës.
“Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo të njollosë ata që luftuan për liri. E vërteta e UÇK-së nuk është çështje interpretimi gjyqësor, është historia e jetuar e një populli që e fitoi shtetin me gjak. Që në fillim e kemi quajtur politike këtë gjykatë dhe procesi na dha të drejtë. Është turp për drejtësinë ndërkombëtare, një njollë që do të mbetet gjatë dhe që tregon se si është trajtuar lufta jonë çlirimtare dhe sakrifica e popullit tonë”, thuhet mes tjerash në njoftim.

