Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësim lidhur me debatin për plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke u bërë thirrje partive parlamentare që të mos e përdorin këtë çështje për interesa partiake.
Në një reagim, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë ligj si të rëndësishëm për luftën çlirimtare dhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Organizata ka shprehur pakënaqësi ndaj dënimit të shqiptuar në shkallën e parë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe politik.
Sipas OVL-UÇK-së, ekspertët juridikë që e mbështesin organizatën vlerësojnë se nuk ka pengesa juridike për miratimin e ligjit dhe se procesi varet nga vullneti politik.
Organizata ka kundërshtuar edhe pretendimet se përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte është antikushtetuese. Sipas saj, ligji aktual për Dhomat e Specializuara e rregullon çështjen e faljes dhe zbutjes së dënimit, duke ia dhënë këtë kompetencë kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.



