Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar përdorimin e temave me interes shtetëror dhe strategjik për përfitime partiake, duke iu referuar ndryshimeve të ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilat janë dërguar për dekretim te presidentja e Kosovës.
E pyetur nëse ligji mund të kthehet sërish në Kuvend, Nagavci ka thënë se tashmë ka precedentë kur presidentja e ka kthyer legjislacionin e miratuar nga deputetët.
“Është e rëndësishme të përmendet edhe njëherë fakti që pikërisht për të shmangur situata të tilla, ne kemi insistuar që të mos ngutemi në procedimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm dhe ndoshta, për fat të keq, është një shembull se si kur temat të cilat janë me interes shtetëror e strategjik përdoren për përfitime partiake, na sjellin situata të tilla”, tha ajo.
Nagavci ka përmendur rastet nga legjislatura e kaluar, kur presidentja Vjosa Osmani kishte kthyer dy ligje të miratuara nga Kuvendi, për të cilat, sipas saj, procesi i miratimit nuk ka përfunduar ende.




