Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se u është drejtuar me një letër publike disa institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur ekspozitën e pasaktësi për masakrat në Kosovë, duke kërkuar tërheqjen e emrave të tyre nga çdo referencë mbështetjeje.
Në letër, OVL-UÇK thotë se “ndonëse publikimi paraqitet si studim, ai nuk mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore; mungon analiza e strukturuar dhe kritike e burimeve, si dhe një organizim sistematik i të dhënave, duke e afruar më shumë me një përmbledhje sesa me një hulumtim apo studim të mirëfilltë”.
“Përmes kësaj letre është kërkuar tërheqja e emrave të tyre nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e tij. OVL-UÇK thekson se trajtimi i temave të ndjeshme historike kërkon përgjegjësi të lartë dhe standarde të mirëfillta profesionale”, thuhet mes tjerash në njoftimin e bërë ku dhe është publikuar letra e plotë.
Letra e plotë:
Për vëmendjen e drejtuesve të institucioneve mbështetëse,
Të nderuar, Me shpresën se ky komunikim ju gjen mirë, në emër të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, po ju drejtohemi përmes kësaj letre publike në lidhje me mbështetjen që institucioni juaj i ka dhënë publikimit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të autorit z. Shkëlzen Gashi, si dhe ndikimit që ka pasur ekspozita e tij publike në Prishtinë.
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përmbajtjes, vlerësojmë se ky publikim paraqet një sërë problematikash serioze që cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e tij.
Së pari, ndonëse publikimi paraqitet si studim, ai nuk mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore; mungon analiza e strukturuar dhe kritike e burimeve, si dhe një organizim sistematik i të dhënave, duke e afruar më shumë me një përmbledhje sesa me një hulumtim apo studim të mirëfilltë.
Së dyti, në disa raste përfshihen ngjarje të cilat cilësohen si “masakra”, edhe pse vetë publikimi e pranon mungesën e burimeve të mjaftueshme për to. Megjithatë, për këto raste paraqiten të dhëna konkrete si data, vendndodhje dhe numri i viktimave, duke krijuar një kontradiktë të drejtpërdrejtë dhe duke ngritur dyshime serioze mbi saktësinë dhe përgjegjësinë akademike të publikimit.
