Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar në Kuvend çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se kjo mund t’i shkaktojë dëm procesit të Apelit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një intervistë për Ekonomia Online, Osmani ka thënë se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në gjykatore dhe se përpjekjet institucionale duhet të përqendrohen në mbështetjen e ekipeve juridike dhe në diplomaci.
“Kuvendi i Kosovës duhet ta lejë politikën anash në mënyrë që mos t’i dëmtojë këto procese, sepse prokuroria mund ta marrë fatkeqësisht edhe si rrethanë rënduese ndaj krerëve të UÇK-së këtë proces që është në Kuvendin e Kosovës pra ligjin për Specialen, i cili siç e patë sa miratohet, sa tërhiqet, sa janë pishman për tërheqje, sa kthehet prapë, sa vendoset në rendin e ditës një herë, kthehet prapë, a vendoset për të dytën herë, për të tretën herë, në përmasa që edhe për ne që jemi brenda Kuvendit është e vështirë të kuptohet se çka në esencë është qëllimi i propozuesve apo i tërheqësve apo i qeverisë, është vështirë për ta kuptuar, mirëpo është bërë dëm totalisht i panevojshëm edhe në raport me besimin qytetar në këtë proces, por edhe do të thoja dëm për procesin e Apelit”, tha ajo.
Osmani ka theksuar se Kuvendi duhet të përqendrohet në sigurimin e mbështetjes juridike për ekipet mbrojtëse, ndërsa institucionet duhet të angazhohen në diplomaci për mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës.
“Kuvendi nuk ka nevojë të shndërrohet në gjykatore dhe të marrë rolin e gjykatës, por duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore japin gjithë mbështetjen e nevojshme pra juridike për ekipet juridike në njërën anë dhe të bëjë, do të thoja, lobi ndërkombëtar në kontekstin e mbrojtjes së të vërtetës historike, sepse Serbia nuk ndalet kurrë me gënjeshtrat e veta dhe me narrativën e rreme për rishkrimin e historisë dhe kundër historisë dhe së vërtetës së Kosovës”, tha ajo.
Ajo ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesë të angazhimit në platformat ndërkombëtare për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së, duke thënë se Serbia po vazhdon përpjekjet për të përhapur, siç e ka quajtur ajo, narrativën e rreme për luftën dhe historinë e Kosovës.
“Dhe këto institucione të Kosovës vlerësoj në këta muajt e fundit nuk kanë bërë asgjë, ne nuk shohim asnjërin prej tyre duke folur në platforma ndërkombëtare për ta mbrojtur të vërtetën historike, për ta mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së, për të treguar për krimet që i ka kryer Serbia dhe nuk shohim as intervista ndërkombëtare ku mbrohet një gjë e tillë, përderisa Serbia nuk po lë gur pa lëvizur për këtë narrativë të rreme dhe për ta rishkruar historinë. Ju e dini që Serbia historikisht nuk është ndalur kurrë, prandaj edhe ne nuk duhet të ndalemi kurrë. Kjo i takon në radhë të parë krerëve të institucioneve dhe ne të tjerët bëjmë pra aq sa mundemi dhe kemi hapësirë për ta mbrojtur të vërtetën historike të popullit të Kosovës dhe luftën tonë çlirimtare”, tha ajo.
Duke folur për mbështetjen që institucionet e Kosovës u kanë ofruar ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Osmani ka thënë se, sipas deklarimeve publike të avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, institucionet kanë bërë gjithçka që ka qenë e mundur në aspektin financiar. Ajo ka përmendur edhe rezolutën e Kuvendit për mbështetjen e procedurës së Apelit.
“Sa i përket asaj se a ka bërë shteti mjaftueshëm, ju e dini që edhe vetë avokati i ish-presidentit Thaçi e ka deklaruar publikisht që institucionet e Kosovës në aspektin financiar kanë bërë gjithçka që ka qenë e mundur. Edhe tani siç e dini, Kosova, Kuvendi i Kosovës konkretisht ka edhe një rezolutë të Kuvendit që kërkon që të jepet e gjithë mbështetja e nevojshme për procedurën e Apelit. Këto janë procese të cilat i takojnë gjyqësorit dhe ne gjithmonë kemi besuar përgjatë gjithë historisë sonë që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të shndërrohet në gjykatore, sepse mendojmë që vetëm sa i bën dëm procesit të Apelit në Hagë dhe përderisa edhe grupi punues duhet të fokusohet në dy drejtime. E para është që të ketë sa më shumë mbështetje për ekipin juridik në procesin e Apelit dhe e dyta është diplomacia”, tha ajo.
Osmani ka folur edhe për vizitën e fundit të Jakup Krasniqit me familjen në Kosovë, duke shprehur keqardhje që jo të gjithë anëtarët e familjes patën mundësi ta takonin. Ajo ka kërkuar që krerëve të UÇK-së t’u garantohen standardet më të larta evropiane për të drejtat e njeriut, përfshirë vizita më të shpeshta dhe më shumë kohë me familjarët.
“Në radhë të parë unë dua t’i uroj shëndet zonjës Krasniqi, e cila po përballet me sfida shëndetësore. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që krerët e UÇK-së të lejohen që të jenë pranë familjeve të tyre në momente të rënda, siç është edhe kjo. Edhe më vjen keq që jo të gjithë anëtarët e familjes kanë pasur mundësinë që ta takojnë zotin Krasniqi, ish-kryetarin e Kuvendit për dy mandate, ish-UD presidentin dy herë me radhë. Dhe natyrisht që thirrja e të gjitha institucioneve të Kosovës në raport me dhomat e specializuara duhet të jetë që në raport me krerët e UÇK-së të respektohen standartet më të larta evropiane e të drejtave të njeriut edhe për të akuzuarit, sepse në qoftë se nuk respektohen këto standarte nga një gjykatë e cila është themeluar pikërisht mbi ato standarte dhe me pritje të tilla, atëherë vërtet është për të ardhur keq”, tha ajo.
Ajo ka kundërshtuar mundësinë që Jakup Krasniqi të shihet si person që mund t’i shmanget drejtësisë, duke rikujtuar se ish-krerët e UÇK-së ishin dorëzuar vullnetarisht në vitin 2020.
“Unë nuk besoj që zoti Krasniqi ndonjëherë ka dhënë ndonjë sinjal që do të mund të ikte drejtësisë. Përkundrazi, të gjithë krerët e UÇK-së janë dorëzuar në mënyrë vullnetare në vitin 2020 duke mos shkaktuar asnjë problem në atë periudhë gjatë procesit të dorëzimit dhe madje edhe patën dhënë dorëheqje nga institucionet më të larta shtetërore, kështu që nuk ka asnjë arsye të vetme që të synohet që të krijohet një përshtypje që do të largoheshin nga drejtësia apo do të krijonin pengesa në drejtësi. Dhe në këtë rast edhe sa i përket zotit Krasniqi, natyrisht që sikur të respektoheshin standartet më të larta evropiane për mbrojtjen e të drejtave të atyre që janë duke u gjykuar, mendoj që do të duhej të lejoheshin edhe vizita më të shpeshta, edhe kohë më e shpeshtë me familje, por natyrisht as mos t’i mohohej kjo edhe anëtarëve të tjerë të familjes siç edhe ka ndodhur në këtë rast”, tha ajo.