Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar Bashkimin Evropian, meqë sipas saj Brukseli zyrtar duket se nuk e sheh dhe nuk e ndjenë progresin që ka bërë Kosova.
Osmani në këtë intervistë ka thënë se Kosova nuk bën flirt me vende të tjera e fuqi keqdashëse si Rusia, Kina e Irani, të cilat i quan edhe si “trekëndëshi i së keqes”, por në të njëjtën kohë ndjen se puna s’po i vlerësohet.
Presidentja kosovare ka thënë se rruga integruese e Kosovës mbetet e bllokuar dhe sipas saj, procesi i bazuar në merita, për të cilin BE-ja flet aq shumë, ende s’po shihet në praktikë.
“Por në të njëjtën kohë, nuk e ndiejmë që ky qasje pro-evropiane dhe fakti që ne jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është parë ose vlerësuar. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë. 97% e njerëzve, sigurisht, janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar. Dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka që duhet të vijë. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, ka thënë Osmani në “Politico”.
Sa i përket mundësisë që Gjermania të shtyjë përpara procesin integrues të Kosovës, Osmani ka thënë se shpreson që të ndodh një gjë e tillë, meqë Kosova s’po kërkon bamirësi, por shtyrje përpara bazuar në merita.

