Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë më 4 prill një rezolutë të rishikuar që synon rikthimin e transportit tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, teksa fuqitë botërore mbeten të ndara se sa larg duhet të shkojnë për t’u përballur me bllokadën që Irani i ka bërë kësaj rruge ujore jetike.
Drafti i fundit, i paraqitur nga Bahrejni, thuhet se është zbutur pak pas kundërshtimeve nga anëtarët që kanë të drejtë vetoje – Kina, Rusia dhe Franca – që kundërshtuan formulimin paraprak që u jepte vendeve autorizim që të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” për të siguruar këtë rrugë ujore. Kjo çoi në shtyrje të votimit, që fillimisht ishte planifikuar për 3 prill.
Associated Press raportoi se një version i rishikuar i tekstit tani lejon vetëm “masa mbrojtëse” për të siguruar kalimin e sigurt përmes ngushticës dhe ujërave përreth, duke shënuar një kompromis që synon të shmangë veton, ndërsa ende mundëson një formë e reagimit të koordinuar.
Votimi vjen në një moment vendimtar të luftës që nisi me sulmet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit në fund të shkurtit, ndërsa mbyllja efektive e ngushticës nga Irani ka tronditur tregjet botërore të energjisë dhe ka nxitur frikë për pasojat nga bllokimi i furnizimeve.
Kina publikisht është deklaruar kundër çdo rezolute që mund të legjitimojë përdorimin e forcës. Ambasadori i Pekinit në OKB, Fu Cong, deklaroi se “çdo autorizim i tillë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në përshkallëzim të mëtejshëm dhe pasoja serioze”, duke u bërë thirrje anëtarëve që të kenë prioritet një zgjidhje politike.
“Nga këndvështrimi i Pekinit, pranimi i një përgjigjeje ushtarake ndaj mbylljes së ngushticës do të legjitimonte përdorimin e forcës, sulmet parandaluese dhe zbatimin e njëanshëm të sigurisë”, shkroi Jonathan Fulton, ekspert për Kinën në Lindjen e Mesme në Universitetin Zayed në Abu Dabi, në newsletter-in e tij mbi rolin e Kinës në rajon. “Kina nuk ka fuqinë e fortë për ta parandaluar këtë skenar, por ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nuk ka gjasa të heqë dorë nga vlera e kësaj fuqie”.
Rusia ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke argumentuar se fokusi duhet të jetë në përfundimin e armiqësive, jo në zgjerimin e mandateve të sigurisë në det. Para se Bahrejni të publikonte draftin e tij përfundimtar të rishikuar, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se propozimi “nuk e zgjidh problemin”.
Franca ka sinjalizuar se mund të jetë e hapur ndaj formulimit të ri në rezolutë, duke theksuar se ka nevojë për masa mbrojtëse.
Rezultati i votimit të 4 prillit mbetet i pasigurt, ndërsa diplomatët po vëzhgojnë nga afër nëse ndryshimet janë të mjaftueshme për të siguruar mbështetje – ose të paktën abstenim – nga anëtarët më të fuqishëm të Këshillit: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë të drejtë vetoje.
