Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Vigan Qorrolli, ka thënë se, bazuar në rrethanat aktuale politike, e sheh të mundshme një marrëveshje mes VV-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Qorrolli ka thënë se një koalicion qeverisës mes dy partive nuk favorizohet nga rrethanat aktuale, por sipas tij, mund të arrihet një marrëveshje për presidentin.
“Rrethanat aktuale nuk e favorizojnë koalicionin klasik qeverisës VV-PDK, por mendoj që është e mundshme dhe uroj që të ndodhë një marrëveshje me PDK-në, meqë me LDK-në ka dështuar. Por LDK-ja tash mund të kyçet për zgjedhjen e presidentit për një periudhë që do të jetë katërvjeçare”, ka thënë Qorrolli në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka thënë se java e ardhshme mund të jetë vendimtare për këtë çështje, duke theksuar se presidenti nuk zgjidhet përmes deklaratave televizive, por përmes takimeve mes liderëve të partive.
“Besoj që java e ardhshme do të jetë vendimtare. Historia është fati kryesor i VV-së. Kronologjikisht, nga prilli deri te tërheqja e Bekim Sejdiu, Kurti i ka bërë thirrje vazhdimisht partive për t’u takuar. Me një mllef të jashtëzakonshëm dhe fyerje të ulëta, Aleanca nuk u përgjigj, e sot kam dëgjuar eksponentë të tyre që duan ta zgjedhin presidentin. Por presidenti nuk zgjidhet në studio televizive, por në tavolina institucionale ku takohen shefat e partive”, ka deklaruar ai.

