Drilon Gashi, i cili për rreth 25 vjet studioi teologji, filozofi dhe shkenca humane, është detyruar ta lërë Kosovën dhe të marrë rrugën e mërgimit, pasi nuk arriti të gjejë punë në vendlindje, pavarësisht se aplikoi në rreth 60 vende pune.
Gashi, i cili kishte shërbyer si imam dhe kishte punuar edhe si këshilltar i Kryekuvendarit, sot në moshën 39-vjeçare punon në një kantier ndërtimi në Gjermani, ku vendos pllaka dhe kryen punë fizike.
Shkrimi i tij:
NË NJËRËN DORË DIPLOMAT, NË TJETRËN MJESTRINË ME LLAÇ!
Po ju shkruaj nga një Baushtellë ndërtimi në Gjermani.
Jo për t'u viktimizuar, por për të treguar një të vërtetë që shumë shqiptarë e jetojnë në heshtje.
Kam kaluar rreth 25 vjet të jetës duke studiuar teologji, filozofi dhe shkenca humane. Kam shërbyer si imam, kam punuar këshilltar i Kryekuvendarit, kam vazhduar studimet në Psikoterapi dhe jam përpjekur të ndërtoj një jetë me dije e punë të ndershme.
Por sot, në moshën 39-vjeçare, jam këtu, në Baushtellë, duke vendosur pllaka, duke bartur kova e duke punuar me duart e mia...
Jo sepse më vjen turp nga kjo punë. Përkundrazi!
Puna nuk e poshtëron njeriun. Por njeriun mund ta dërrmojë një jetë e tërë përpjekjesh pa siguri dhe pa asnjë perspektivë.
Kam konkurruar në rreth 60 vende pune në Kosovë. Kam trokitur në dyer institucionesh, kompanish dhe njerëzish me ndikim. Kam përjetuar refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme.
Kam punuar edhe për 500–600 euro, në kushte ku ndonjëherë mungonin edhe tualetet për punëtorët.
Nuk pretendoj se në çdo konkurs më është bërë padrejtësi. As se çdo dështim imi është faj i dikujt tjetër. Kam edhe unë përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë...
Por a duhet që njeriu të mbetet pa shpresë vetëm pse nuk ka arritur të gjejë vendin e vet në tregun e punës?
Me katër fëmijë, me detyrime bankare dhe përgjegjësi familjare, erdhi një ditë kur nuk mund të prisja më.
Mora rrugën e mërgimit.
Dhe këtu, mes pluhurit, çimentos dhe lodhjes fizike, më është kthyer vazhdimisht një pyetje:
A thua çfarë duhet të bëjë më shumë një qytetar që të ketë mundësi të jetojë me dinjitet në vendin e vet?
Sot nuk po flas vetëm për veten.
Po mendoj për punëtorin që nuk ka sigurim.
Për të diplomuarin që dorëzon aplikimin e pesëdhjetë.
