Top Kolshi, i dyshuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit, në Baicë të Lipjanit, në seancën dëgjimore të mbajtur më 13 gusht 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë deklarimit ka thënë se nuk kishte qëllim që ta vriste viktimën dhe se viktima kishte qenë në pronën e tij dhe e kishte sulmuar në pronën e tij.
Sipas vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Kolshi ka deklaruar se është penduar për veprën që ka kryer.
“E përkrahu fjalën e avokatit tim dhe shtoj se me vjen keq për familjen e të ndjerit dhe të ndjerin, nuk kam pas arsye dhe as qëllim që ta mbys dhe jam penduar. Ka qenë në pronën time dhe më ka sulmuar në pronën time”, citohet të ketë deklaruar Kolshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendim thuhet se mbrojtësi i të dyshuarit Kolshi, avokati Halim Shala ka propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të bëhet ekzaminim psikiatrik.
“E kundërshtojmë kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, meqenëse kjo mase ka të bëjë me sigurinë e klientit tim për shkak të raporteve që kane me familjen e viktimës pasi që jetojnë në të njëjtin vend, le te mbetet si e tillë në këtë fazë me propozim që gjatë kësaj periudhe të bëhet një ekzaminim psikiatrik për Kolshi me të cilën do të vërtetohet dhe argumentohet në mënyrë objektive gjendja e afektit mendor, respektivisht të vërtetohet se në kohën e kryerjes së veprës penale i njëjti a ka qenë në gjendje të kuptoj veprimet e veta”, citohet deklarimi i Shalës.
Lidhur me këtë, prokurori Arben Hoti ka thënë se do ta kenë parasysh njoftimin e mbrojtjes lidhur me mundësinë e paraqitjes së kërkesës për ekzaminim psikiatrik dhe kërkoi nga mbrojtja që në rast se posedojnë dokumente të mëhershme shëndetësore të kësaj natyre, t’i dorëzojnë në Prokurori.
Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se mes datës 3 gusht ora 16:00 e deri më 4 gusht në ora 12:10 në fshatin Baicë – Komuna e Lipjanit, i pandehuri Kolshi për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake, me dashje e në bashkëkryerje me persona të paidentifikuar, privojnë nga jeta tani të ndjerin Bajraktari.
Aty thuhet se Enver Bajraktari, rreth orës 16:00 të 3 gushtit, ka dalë nga shtëpia e tij duke dërguar gjedhen e tij për kullos në livadhe të fshatit, e ku më pas i njëjti goditet me mjete të forta në kokë dhe trup, e më pas ngufatet. Pastaj, trupin e tij, e tërheqin zvarrë disa metra duke kaluar përmes një are të mbjellë me misër, hiqen disa rrënjë misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi një metër brenda saj vendoset trupi i viktimës, dhe më pas mbulohet trupi me dërrasa.
Gjithnjë sipas vendimit, më pas, gropa u mbulua me dhe, kurse aty u rivendosën rrënjët e misrit. Më pas, familjarët bënë kërkime rreth fshatit dhe më 4 gusht, në ora 12:10 e gjetën trupin e viktimës pa shenja jete.
Prandaj për këto veprime, Kolshi dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.