Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar aktgjykimin e fundit të kësaj gjykate lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një “arrnim kushtetues” që, megjithatë, mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës institucionale.
Sipas Kryeziut, Gjykata Kushtetuese ka lënë shumë hapësirë për të justifikuar mungesën e një sqarimi të qartë në aktgjykimin e 26 qershorit, sidomos sa i përket çështjes nëse praktikat parlamentare nënkuptojnë votim të hapur.
“Një përcaktim i qartë më 26 qershor do të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe do të na kursente nga dramat politike të gjashtë javëve të fundit”, deklaroi Kryeziu.
Ai theksoi se në këtë vendim, Gjykata ka qenë e kujdesshme, duke mos e mohuar ligjshmërinë e votimit të fshehtë, por njëkohësisht ka orientuar procedurën drejt votimit të hapur për shkak të mungesës së konsensusit parlamentar.
Sa i përket kufizimit të nominimit të një kandidati për kryetar Kuvendi deri në tre herë, Kryeziu vlerësoi se Gjykata nuk ka dhënë argumente bindëse juridike për këtë vendim.
