Javët e fundit janë karakterizuar nga një sërë ngjarjesh të rënda që kanë prekur familje të shumta në Kosovë dhe më gjerë.
Aksidentet në trafik, vetaksidentet dhe rastet e tjera tragjike kanë marrë jetën e disa personave, nga fëmijë e të rinj deri te të rriturit, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe opinioni publik.
Mes viktimave janë një kosovar që vdiq në një aksident në Lezhë, dy mërgimtare, motra, 18 dhe 24 vjeçare, një 29-vjeçar në Prishtinë, një 22 vjeçar që u aksidentua me motoçikletë, një 11-vjeçar pas një vetaksidenti me trotinet në Gjilan, si dhe një i mitur që humbi jetën në Drenas
Po ashtu, humbën jetën edhe një 50-vjeçar nga Drenasi që dyshohet se u godit nga rryma elektrike, një grua e lënduar rëndë në një aksident në Pejë dhe një i mitur i gjetur pa shenja jete në Gjakovë. Këto raste kanë tronditur opinionin publik dhe kanë rikthyer vëmendjen te siguria në trafik dhe kujdesi për jetën.
Kadri Behluli humbi jetën në orët e para të mëngjesit në aksin Lezhë-Milot. Sipas raportimeve, ai dyshohet se humbi kontrollin e automjetit si pasojë e përgjumjes dhe u përplas me një kamion. Në aksident u lënduan edhe djali dhe motra e tij.
Astrit Vllasa humbi jetën në një aksident komunikacioni në Vranidoll të Prishtinës. Vdekja e tij u konstatua në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore emergjente.
Bedri Krasniqi nga fshati Negroc i Drenasit nuk arriti t’u mbijetojë plagëve pasi dyshohet se u godit nga rryma elektrike. Pavarësisht trajtimit intensiv në QKUK, mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Mejdi Deliu, 11 vjeç, ndërroi jetë në QKUK pas lëndimeve të marra nga një vetaksident me trotinet elektrik që kishte ndodhur më 8 qershor në Gjilan.
Një i mitur u gjet i vdekur në fshatin Palabardh të Gjakovës. Policia ka iniciuar hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Hafir Maka humbi jetën tragjikisht në një vetaksident në fshatin Fushticë e Poshtme në rrugën Carralevë–Komoran. Vdekja e tij shkaktoi pikëllim të madh në komunitet.
Një tjetër jetë e re u shua tragjikisht në një aksident trafiku në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë. Viktimë ishte 22-vjeçari Drilon Meniqi, i cili humbi jetën pas një përplasjeje mes motoçikletës që drejtonte dhe një automjeti.
A.Bajramaj, e cila ishte lënduar rëndë në një aksident në Jabllanicë të Leshanit në rrugën Pejë–Klinë, ndërroi jetë pas disa ditësh trajtim në spital.
Këto raste tragjike kanë rikthyer shqetësimet për sigurinë në trafik dhe nevojën për kujdes të shtuar, teksa familje të shumta po përballen me humbje të mëdha dhe të parakohshme.
