Gazeta gjermane BILD raporton se një 23-vjeçar nga Unna, i cili ishte në përgatitje profesionale për punë në kompaninë hekurudhore Deutsche Bahn, është arrestuar nën dyshimin për planifikimin e një sulmi terrorist.
Sipas raportimit, ai dhe një 19-vjeçar nga Hagen dyshohet se gjatë muajit shtator kishin diskutuar mundësinë e kryerjes së një sulmi dhe sigurimin e armëve të luftës. Bëhet fjalë për dy pushkë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov), të cilat dyshohet se kishin planifikuar t’i siguronin për nga 1.000 euro secilën. Më 1 tetor, forcat speciale gjermane bastisën disa banesa në Unna dhe Hagen, por nuk gjetën armë.
Sipas BILD-it, autoritetet e sigurisë kishin qenë duke i monitoruar dy të dyshuarit dhe kishin përgjuar bisedat e tyre. Objektivi konkret i sulmit ende nuk dihet, ndërsa gjatë diskutimeve dyshohet se ishin përmendur si mjete të mundshme sulmi thika, vetura apo armë zjarri.

