Në Jahoc të Gjakovës kanë nisur punimet e para për ndërtimin e një prej projekteve më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në Kosovë. Ministria e Mbrojtjes synon që deri në fund të këtij viti të nisë prodhimi i parë testues i municioneve ‘Made in Kosova’.
Por, sfidat për funksionalizimin e fabrikës së municionit janë më të mëdha sesa vetëm ndërtimi i objektit. Funksionalizimi i fabrikës kërkon përmbushjen e një sërë kushtesh: nga baza ligjore dhe procedurat administrative, deri tek instalimi i teknologjisë, trajnimi i personelit dhe standardet e sigurisë, shkruan RTK.
Pikërisht këto sfida, sipas ekspertëve, vënë në pikëpyetje nëse prodhimi i parë testues mund të nisë brenda afatit të paralajmëruar.
Kjo është hapësira ku është planifikuar të ndërtohet Fabrika e Municionit në Jahoc të Gjakovës. Në lokacionin ku do të ngrihet ky kompleks industrial, tashmë kanë nisur punimet e para. Në terren shihen punëtorë dhe makineri të rënda, të angazhuara në ndërhyrjet fillestare për përgatitjen e hapësirës ku pritet të ndërtohet fabrika e parë e municionit në Kosovë.
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar për RTK-në se projekti është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE.
“Punimet për realizimin e projektit të fabrikës së municioneve kanë filluar dhe janë duke vazhduar sipas marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE. Sipas afateve të parapara, pritet që deri në fund të këtij viti të fillojë prodhimi i parë testues i municioneve ‘Made in Kosova’. Ky projekt nuk përfshin vetëm ndërtimin e një fabrike, por krijimin e një kompleksi industrial të prodhimit të municioneve, me infrastrukturë mbështetëse, laboratorë testimi dhe kalibrimi, depo dhe objekte të tjera të nevojshme për funksionimin e tij”. Kështu thuhet në përgjigjen e shefes së kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi.
Megjithatë, afati i paralajmëruar për nisjen e prodhimit të municioneve deri në fund të këtij viti shihet si vështirë i realizueshëm nga njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj.




