Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit të rëndë që ndodhi pak pas mesnatës në autostradën A8 Salzburg–Mynih, pranë kryqëzimit të Irschenbergut, ku një autobus me pasagjerë nga Kosova u përplas me një kamion me rimorkio.
Sipas raportimeve të para të policisë, nuk ka prova që të tregojnë për ndonjë defekt teknik në autobus apo në kamion. Hetimi aktual është i fokusuar në zbardhjen e arsyes pse shoferi i autobusit nuk arriti të dallojë mjetin përpara me kohë, çka çoi në përplasjen e fortë me pjesën e pasme të rimorkios. Shoferi, sipas burimeve policore, u përpoq të devijonte majtas në momentin e fundit, por përplasja ishte e pashmangshme, raportojnë mediat gjermane
Nga aksidenti u plagosën 30 nga 41 pasagjerët që ndodheshin në autobus. Dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë në spital, ndërsa katër të tjerë janë dërguar në klinika për ekzaminime të mëtejshme.