Ka nisur edhe sot dëshmia e James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe po merret në pyetje nga Prokuroria.
Dëshmia e Rubinit pritet të përfundojë sot.
Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.
Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.
Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.
“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.
“Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.
Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së.
Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.
