Në natën e 11-të të protestës në sheshin e Prishtinës kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka folur edhe Fahri Fazliu i Ri, nipi i dëshmorit Fahri Fazliu.
Ai në fjalimin e tij ka treguar për lidhjen familjare me heroin e kombit, Fahri Fazliu, si dhe për sakrificat e familjes së tij ndër vite.
“Unë jam Fahri Fazliu i ri. E mbaj me krenari emrin e xhaxhait tim, heroit të kombit, Fahri Fazliu. I cili ra në një betejë me forcat jugosllave-serbe në nëntor të vitit 1989, së bashku me shokun e tij të idealit, heroin e kombit Afrim Zhitia. Jam djali i veprimtarit të çështjes kombëtare dhe luftëtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu, dhe nipi i dy dëshmorëve të Kosovës, Fahri e Bahri Fazliu”, ka thënë Fazliu.
Fazliu ka folur për peshën që mbart emri dhe historia e familjes së tij.
“E mbaj me krenari emrin e familjes sime, por edhe peshën e madhe të sakrificës që ajo ka bërë ndër vite. Familja jonë, si shumë familje të tjera, e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë. Me jetë, me burgje, me sakrifica, me ndarje e me shumë dhimbje. Por asnjëherë nuk jemi penduar për rrugën e lirisë dhe për idealin që e kanë ndjekur të parët tanë”, ka deklaruar ai.
Fazliu ka thënë se familjet e dëshmorëve kërkojnë drejtësi dhe dinjitet për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
“Prandaj sot, si pjesë e një familjeje që i ka dhënë shumë lirisë së Kosovës, kërkojmë drejtësi dhe dinjitet për çlirimtarët tanë. Kërkojmë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën – Calin dhe Pjetër Shalën”, ka thënë ai.


