Deklarata skandaloze e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë, Bashkimin Evropian dhe Shqipëri.
Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, deklaroi se “po të ishte në vend të Millosheviqit”, do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës, duke shtuar më vonë se nuk e kishte fjalën për “likuidimin e shqiptarëve”, por që “secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Më pas, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj.
“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha – emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë.”
Bashkimi Evropian: Nuk ka vend për retorikë që promovon spastrimin etnik
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi se edhe pse BE-ja nuk komenton deklarata individuale, mesazhe të tilla janë të papranueshme.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.”
Ajo shtoi se deklarata të tilla janë në kundërshtim edhe me obligimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal.”
Edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, reagoi ashpër.
“Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik. Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla.”
Ajo shprehu shpresën se deklarata përfaqëson një qëndrim individual dhe jo politikën zyrtare të Qeverisë së Serbisë.
Konjufca: Heshtja nuk është një opsion
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se deklarata e ministres serbe glorifikon krimet e luftës dhe bie ndesh me rrugën evropiane.
“Retorika e tillë i lavdëron krimet e luftës, kërcënon stabilitetin rajonal dhe është krejtësisht e papajtueshme me vlerat evropiane, si dhe me të ardhmen evropiane.”
Ai kërkoi reagim të prerë nga Bashkimi Evropian.
“Heshtja nuk është një opsion. As përgjigjet e dobëta nuk janë. Nivelet më të larta të lidershipit të BE-së duhet të përgjigjen me një dënim të qartë publik, t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj dhe të sigurohen që një sjellje e tillë të ketë pasoja në procesin e saj të pranimit.”
Sipas Konjufcës, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, shoqërisë shumëetnike dhe pajtimit të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë.
Eurodeputeti Sandro Gozi kërkon shkarkimin e ministres
