Në një ditë acari në kryeqytetin ukrainas, Kiev, Yuriy Lyshenko, është pajisur mirë për të ftohtët, pasi ka veshur një xhaketë të kuqe që është dizajnuar për dimrat e Antarktidës. “Tani që na ka goditur ky acar, më duhet ta veshë këtë”, thotë ai duke qeshur.
Ky 52-vjeçar është një nga “pinguinët ushtarakë” të Ukrainës, një grup i vogël, por që po rritet gjithnjë e më shumë, i burrave që kanë shërbyer në bazën kërkimore të Ukrainës në Antarktidë, dhe janë kthyer në shtetin e tyre për të luftuar.
Lidhjet e Ukrainës me kontinentin më të ftohtë datojnë që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur Anton Omelchenko, i lindur në rajonin e Potlavës në territorin e Ukrainës së sotme, i mbijetoi një ekspedite të dështuar britanike më 1910-1913 në Polin e Jugut.
Gjatë periudhës sovjetike, kompania ukrainase e prodhimit të aeroplanëve, Antonov, ndërtoi aeroplanë të specializuar për të mbështetur bazat polare, ndërkaq një fabrikë në Harkiv prodhonte mjete me zinxhirë për përdorim në Antarktidë.
Një pjesë e madhe e studiuesve që punonin në bazat sovjetike polare ishin ukrainas, por pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, të dymbëdhjetë bazat antarktike të BRSS-së u morën nga Rusia.
Olena Marushevska, zëdhënëse e Qendrës Kombëtare Shkencore Antarktike të Ukrainës, thotë se gjatë fillimit të viteve ‘90, “kishim shumë shkencëtarë që nuk kishin një vend ku të punonin. Por, specializimi i tyre ishte ai i ekspertëve të Antarktidës”.”
Më 1996, Mbretëria e Bashkuar e shiti Ukrainës bazën e saj kërkimore Faraday, së bashku me pub-in e saj të stilit britanik, për vetëm një paund. Marrëveshja përfshinte zotimin që shkencëtarët ukrainas do të vazhdonin studimin meteorologjik britanik që kishte nisur më 1947.
Ukraina e emërtoi bazën sipas Vladimir Vernadskyt, presidentit të parë të Akademisë së Shkencave të Ukrainës. Data zyrtare e dorëzimit të bazës ishte 6 shkurti 1996, 30 vjet më parë.
Në fund të shkurtit të vitit 2022, Lyshenko ishte në mes të udhëtimit prej 15 mijë kilometrash drejt bazës Vernadsky për misionin e tij të katërt atje, kur u publikua lajmi se Rusia kishte nisur pushtimin e Ukrainës.
Roli i Lyshenkos si elektricist për gjeneratorët me naftë në Vernadsky ishte i pamundur të zëvendësohej në një afat të shkurtër kohor, prandaj për gati një vit ai mundi vetëm të ndiqte lajmet, teksa forcat ruse avanconin drejt qytetit të tij të lindjes. “Ishte shumë e vështirë”, kujton Lyshenko. “Unë jam nga Harkivi, familja ime ishte në Harkiv dhe nuk mund të ndikoja situatën në asnjë mënyrë”.
Kur misioni i tij në Antarktidë përfundoi në pranverën e vitit 2023, Lyshenko u kthye në Ukrainë dhe u caktua që të udhëhiqte një grup sulmues të këmbësorisë.
Në tetor të po atij viti, ai u plagos rëndë nga një granatë ruse dhe iu amputua këmba e djathtë. Përderisa po rikuperohej në një spital në Kiev në janar të vitit 2024, ky veteran i Antarktidës përsëri i shpëtoi vdekjes kur një raketë ruse, e llojit Kalibr, goditi pavijonin e spitalit ku ai gjendej dhe ra vetëm 15 metra larg nga shtrati i tij. Bomba në raketë, me peshë prej gjysmë toni, nuk shpërtheu.
Lyshenko thotë se ajo që i mungon më shumë nga jeta në Antarktidë është bashkëpunimi dhe miqësia midis kolegëve. Me një ekuipazh të vogël prej dhjetëra njerëzish që përballojnë nëntë muaj dimër në një prej vendeve më të izoluara të botës, “raportet mes njerëzve atje shkojnë përtej miqësive, ata bëhen si familje”, thotë Lyshenko. “Sepse punon së bashku me këta njerëz 24/7 dhe mbështetesh te njëri-tjetri. Miqësi të tilla ruhen gjatë gjithë jetës”.
Pavarësisht se ecën me një protezë, Lyshenko u kthye në Vernadsky në shkurt të vitit 2025 për një dislokim të shkurtër për shkak të mungesës së stafit.
