Policia e Kosovës për rajonin e veriut ka njoftuar se, nga 1 nëntori, pronarët e automjeteve me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj.
Ky vendim pritet t’i prekë veçanërisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët shpesh përdorin automjete me targa të Serbisë.
Një pjesë e qytetarëve, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndaluar targat serbe me shkurtesa të qyteteve të Kosovës – si KM, PR e të ngjashme – i kanë riregjistruar automjetet në ndonjë qytet të Serbisë dhe kanë qarkulluar me autorizim.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se një gjë e tillë nuk do të lejohet më, pasi është në kundërshtim me ligjin.
“Nuk do të mund të qarkullojnë më makinat nga Serbia vetëm me autorizim”, theksoi ai për REL, duke sqaruar se kjo vlen për ata që kanë përdorur automjete të tilla me dokumente kosovare.
Elshani rikujtoi se edhe vitin e kaluar Ministria e Brendshme kishte trajtuar këtë problem dhe se tani zgjidhja është që shtetasit e Kosovës me makina me targa serbe t’i riregjistrojnë ato me targa të Kosovës – RKS.
