Familjarë, miq dhe të afërm do t’u japin nesër lamtumirën e fundit dy të rinjve nga Kosova, Jetmir Binakut dhe Leonit Aliut, të cilët humbën jetën tragjikisht në bregdetin e Shëngjinit.
Sipas njoftimeve të publikuara nga familjet, ceremonia e varrimit të Jetmir Binakut do të mbahet nesër në orën 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar të Drenasit.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë, i njoftojmë të gjithë farefisin, miqtë dhe dashamirët se ka ndërruar jetë tragjikisht djali, vëllau dhe nipi ynë i dashur, Jetmir Binaku. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër pas namazit të xhumasë në ora 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar”, thuhet në njoftimin e familjes Binaku
Ndërkaq, Leonit Aliu do të përcillet për në banesën e fundit nesër në orën 15:00, në fshatin Rezallë, lagjja Aliu.
