Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt do të mbajë nesër, në orën 11:30, mbledhjen e parë në Kuvendin e Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit, Emilia Rexhepi, e cila është pjesë e këtij komisioni, ka bërë të ditur se do të shqyrtohen të gjitha rrethanat që i paraprinë vrasjes, me fokus të veçantë në veprimet e institucioneve dhe mënyrën se si është trajtuar rasti.
“Do të duhet të konfirmojmë të gjitha rrethanat që i kanë paraprirë vrasjes së Arlindës. Numri i vrasjeve të grave tona është shumë i madh dhe kjo tregon se ne, si shoqëri në tërësi, kemi probleme me të cilat duhet të përballemi”, ka deklaruar Rexhepi në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.




