Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë kryer gërmime në 32 lokacione ku dyshohej për persona të zhdukur gjatë luftës së fundit. Nga këto, në 16 lokacione janë gjetur mbetje mortore, në 15 nuk është gjetur asgjë, ndërsa në një rast është vlerësuar se lokacioni nuk ka qenë i rëndësishëm.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Punës.
Sfida kryesore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë. Sipas kryetarit të Komisionit, Andin Hoti, Serbia refuzon të ofrojë informacione të besueshme dhe të hapë arkivat që lidhen me varrezat masive të luftës.
“Vazhdojmë të përballemi me sfida serioze për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Sfida kryesore mbetet mosgatishmëria e Serbisë për bashkëpunim, për dhënien e informacioneve kredibile dhe hapjen e arkivave të klasifikuara, të cilat vazhdimisht i kërkojmë në Bruksel dhe në takime bilaterale apo multilaterale”, ka thënë Hoti.
Ai rikujtoi se janë arritur dy marrëveshje në Bruksel: deklarata për personat e zhdukur në vitin 2023 dhe formimi i Komisionit të Përbashkët në fund të vitit 2024, të dakorduara nga të dyja shtetet. Megjithatë, Serbia ka refuzuar pjesëmarrjen në tri takime të thirrura nga Bashkimi Evropian – në janar, qershor dhe shtator të këtij viti.
