Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka ngritur shqetësime në Kuvendin e Kosovës lidhur me, siç tha ajo, pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, mosdorëzimin e përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë dhe diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Nagavci ka deklaruar se, ndërsa Kosova vazhdon bashkërendimin me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për sigurinë rajonale, Serbia vazhdon ndërhyrjet politike dhe nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
Ajo ka përmendur edhe shfaqjen publike të Milan Radoiçiqit pranë djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në tubimin e Partisë Progresive Serbe, të mbajtur më 9 tetor në Kragujevc.
Sipas Nagavcit, Radoiçiqi, të cilin ajo e cilësoi si organizator të sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht përgjegjësisë së pranuar për organizimin e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023.
“Çfarë shteti është ky në mes të Evropës? Shtet i papërgjegjshëm, i padenjë për çfarëdo marrëdhënie ndërkombëtare”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka reaguar edhe ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili, sipas saj, më 7 tetor në Rashkë ka thënë se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur.
Nagavci ka theksuar se Prizreni është qytet i Republikës së Kosovës dhe se sovraniteti i vendit nuk mund të cenohet nga pretendimet e tilla.
