Kreu i Institutit Octopus Agim Musliu ka folur mbi mashtrimet që presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdon t’i bëjë si pjesë e lojës politike për të forcuar pushtetin e tij duke përdorur Listën Serbe si dorë e zgjatur për bllokimin e institucioneve në veri të Kosovës dhe njëkohësisht duke u ankuar te ndërkombëtarët se për këtë fajtore është Prishtina zyrtare.
“Dy vjetët e fundit presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe shpenzuan mund e energji duke i bllokuar institucionet në veri të Kosovës, vazhdimisht duke iu ankuar dhe duke ushtruar presion ndaj vendeve të QUINT-it me narrativin se Kosova duhet të lëshojë pe.
Rezultati? Vetëm humbje kohe për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe vetëm një përpjekje e dështuar për ta paraqitur veten si “mbrojtës” të serbëve të Kosovës.”
Musliu rikujton se presidenti serb po e kthen Listën Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke e “legalizuar” gjendjen që ai vetë e krijoi me bojkot.