Ligjëruesi i së Drejtës Kushtetuese, Ditar Kabashi, ka folur për afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Duke folur për situatën pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kabashi ka thënë se për momentin dihen vetëm konkluzionet e vendimit, ndërsa arsyetimi i plotë ende nuk është bërë publik.
“Gjykata Kushtetuese, që e bëri një njoftim rreth aktgjykimit të fundit, të cilin e proklamoi në uebfaqen e saj, konstatoi disa gjëra. Njëra ndër to ishte që Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas afatit. Deri më tani nuk e dimë formën e arsyetimit, por kemi vetëm formën e konkluzionit”, ka deklaruar Kabashi.
Sipas tij, një nga pjesët më të rëndësishme të konkluzionit të Gjykatës Kushtetuese lidhet me afatin për zgjedhjen e presidentit në rast se posti i presidentit mbetet vakant.
“Me interesante se Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, që parashihet në nenin 66, paragrafi 1 i Kushtetutës, ka për pasojë edhe rrjedhjen e afatit për postin e presidentit. Në rastin kur posti i presidentit është vakant”, ka thënë ai.
Kabashi ka vlerësuar se në këtë rast Gjykata Kushtetuese ka bërë një interpretim ndryshe nga ai i dhënë në aktgjykimin e 26 marsit të këtij viti.
“Pika më interesante është se Gjykata Kushtetuese e bën një lloj diskrecioni prej aktgjykimit të datës 26 mars të këtij viti. Në rast se nuk ka Kuvend të konstituohet dhe i mbaron mandati presidentit, duhet me llogarit prej ditës kur fillon të konstituohet Kuvendi. Atëherë data ka qenë 11 shkurt”, ka deklaruar Kabashi.
Ndërkaq, sipas tij, në rastin aktual Gjykata Kushtetuese ka marrë si pikënisje një datë tjetër.



