Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ishte e rëndësishme që Kuvendi të shprehte qëndrimin e tij përmes një deklarate lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, në një bisedë me moderatorin Ermal Panduri, Haxhiu tha se deklarata e Kuvendit ka rëndësi edhe për të ardhmen, në mënyrë që gjeneratat e reja të dinë se cili ishte qëndrimi i këtij institucioni ndaj vendimit.
“Pas vendimit të padrejtë, ka qenë shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës ta thotë fjalën në raport me këtë aktgjykim. Ndoshta jo vetëm në rrethanat e sotme, por edhe pas shumë vitesh, kur të flasim për një vendim të tillë, të rinjtë dhe të rejat e Republikës së Kosovës të dinë se cili ka qenë roli i Kuvendit”, deklaroi Haxhiu.
Ajo iu përgjigj edhe kritikave se Kuvendi nuk ishte mbledhur më herët për të miratuar deklaratën, duke shpjeguar se institucioni kishte qenë në një situatë të kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, sikurse edhe Qeveria.
“Kemi vlerësuar se duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka pasur masë kushtetuese”, tha ajo.




