Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pasi ky i fundit sot më 18.11.2025 iu drejtua përsëri Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë urgjente për çështjen e buxhetit të kryeqytetit.
Ngjashëm si në reagimet e tjera publike, Murati vazhdon të insistoj se zgjidhja për këtë është që partia e Ramës, LDK ta votojë miratimin e buxhetit të Prishtinës në Kuvendin e Kosovës.
“Përparim Rama e ka shumë të lehtë që ta bëjë zgjidhjen për buxhetin e Komunës së Prishtinës – le t’i kërkojë Lumir Abdixhikut që ta votojnë në Kuvend, dhe buxheti i Prishtinës bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit 2025. Kaq e thjeshtë është” – shkruan Murati. Sipas ministrit në detyrë, kjo çështje ka të bëjë me një ‘rivalitet të brendshëm në LDK’ e që sipas tij, nga kjo po e pësojnë qytetarët. “Nuk ka se si spjegohet qëndrimi kategorik i grupit parlamentar të LDK-së për të mos e miratuar Buxhetin 2025 për Komunën e Prishtinës, kur tashmë janë me miliona euro fatura të papaguara që janë mbledhur në mungesë të buxhetit të miratuar, dhe ka mbetur pak më shumë se 1 muaj deri në fund të vitit fiskal”- shkruhet në reagimin e Muratit.
