Mungesa e një infrastrukture adekuate, që rezulton në bllokime të kanalizimeve, ka kohë që nxjerr në sipërfaqe ujërat e zeza, duke e shndërruar këtë çështje në një problem kronik, pa përjashtuar edhe derdhjen e drejtpërdrejtë në lumin Drenica.
Kundërmimi i ujërave të zeza, që tashmë kanë dalë mbi rrugë në kryqëzimin e rrugëve “Asllan Fazliu” dhe “Shaban Shala”, mbetet problem për banorët dhe mollë sherri mes pushtetit lokal dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”
“Përgjegjës për mirëmbajtjen e kanalizimit në qytetin Drenasit është KRU ‘Prishtina’”, tha Endrit Gllareva, drejtor i Infrastrukturës.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ka nënvizuar se ka bërë disa herë intervenime për hapjen e pusetave, megjithatë problemi i bllokimit të kanalizimit nuk është zgjidhur. Për më tej, kompania thotë se edhe vetë komuna ka ndërhyrë, por pa rezultat.
Përderisa pushteti lokal dhe kompania rajonale e ujësjellësit po ia hedhin fajin njëra-tjetrës dhe ndërhyjnë edhe jashtë kompetencave, janë banorët ata që po pësojnë më së shumti dhe që presin një zgjidhje sa më të shpejtë.
