Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Tregut (IQMT), ka ndërmarrë aksione inspektuese në disa komuna të Kosovës me qëllim parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te personat e mitur.
Sipas një komunikate të ministrisë, gjatë pjesës së parë të muajit qershor inspektimet janë përqendruar kryesisht në bizneset që operojnë në afërsi të institucioneve arsimore dhe që merren me tregtimin e cigareve elektronike.
Kontrollet janë zhvilluar në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Vushtrri, Ferizaj dhe Viti, ku inspektorët kanë verifikuar zbatimin e dispozitave të Ligjit për Kontrollin e Duhanit që ndalojnë shitjen e produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme për të miturit.
