Shqipëria dënon ashpër nderimet me të cilat u përcoll në Serbi Ratko Mlladiç, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit si të papajtueshëm me vlerat europiane.
Reagimi i ministrit Ferit Hoxha erdhi pas ceremonisë mortore të Ratko Mlladiç në Serbi, ku ish-komandanti serb i Bosnjës u përcoll me nderime.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha theksoi se Shqipëria i bashkohet qëndrimit të Bashkimit Europian dhe udhëheqësve të tij në dënimin e glorifikimit të një personi të dënuar për disa nga krimet më të rënda të luftës në Bosnje.
Shqipëria dënon glorifikimin e Ratko Mladić, një kriminel lufte i dënuar që vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian, udhëheqësve të tij dhe të gjithë atyre që me të drejtë kanë dënuar mënyrën se si ai u nderua në Serbi.




