Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, mes kundërshtimeve nga partitë opozitare.
Për projektligjin votuan 63 deputetë, 19 ishin kundër dhe nuk kishte asnjë abstenim.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet propozoi që më 23 prill të bëhet shqyrtimi i dytë i projektligjit. Mocioni i propozuar nga LVV-ja kaloi me shumicë votash.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga LVV-ja, në rend dite, ndër të tjera, është edhe Projektligji për sigurimet shëndetësore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, që e prezantoi legjislacionin në emër të ministres së Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se me Projektligjin për çmimet tavan është përgjigje e shtetit ndaj nevojës reale të qytetarëve të Kosovës që shteti të “mos mbetet spektator” kur çmimet e produkteve “dalin jashtë logjikës ekonomike dhe rëndojnë drejtpërdrejt mbi familjet tona”.
“Ky projektligj synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut me fokus të qartë në mbrojtjen e konsumatorit dhe interesit publik. Kemi të bëjmë me një instrument të jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme, jo me një mekanizëm të përhershëm të ndërhyrjes në ekonomi”, tha ministri Murati.
Ai argumentoi se ky projektligj nuk është kundër biznesit dhe tregut të lirë, por sipas tij është ligj për rregull dhe përgjegjësi.
“Është ligj që ndan kufirin me fitimit të ligjshëm dhe kufirin mes abuzimit në rrethana të krizës. Është ligj që siguron qytetarin se shteti nuk do ta lërë vetëm përballë goditjet e papritura në çmimet e bukës, miellit, qumështit, vajit e mallrave të tjera bazike të jetës së përditshme”, theksoi ai.
Murati tha se karakteristikë e legjislacionit është që ai ngushtohet vetëm në disa masa të përkohshme, dhe parasheh caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar.
“Ky është një mesazh i qartë, shteti nuk po kërkon pushtet mbi tregun, por mandat të qartë dhe të kufizuar për të vepruar vetëm kur është e nevojshme”.
Karakteristika e dytë, sipas Muratit, është mekanizmi i ri rregullator, pra themelimi i një bordi të pavarur për masat e përkohshme për rregullimit e çmimit.
Sipas tij, ky bord pesëanëtarësh do të jetë organ i pavarur, i krijuar nga Kuvendi dhe që i raporton po këtij institucioni.
Murati tha se lista e produkteve bazë parashihet në projektligj, ndërkaq ai i nënprodukteve mund të specifikohet me akte nënligjore.
Projektligji u kritikua nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
