Gazetari Lirim Mehmetaj ka vlerësuar se dëshmia dyditore e gjeneralit amerikan Wesley Clark në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka qenë më e rëndësishmja dhe më shfajësuesja deri tani për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe drejtuesit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Debat Plus, Mehmetaj ka thënë se Clark, si një gjeneral me katër yje, me formim akademik në Oksford dhe njeriu që ka udhëhequr NATO-n gjatë luftës së Kosovës, përfaqëson autoritetin më të fortë që mund të flasë për zhvillimet e asaj periudhe.
“Ashtu siç është pritur, dëshmia e gjeneralit Clark ka dal pa diskutim dëshmia më domethënëse, më autentike, më përmbajtjesore dhe më shfajësuese besoj unë për të akuzuarit. Dhe kjo për disa arsye. E para, për faktin se ai është personi gjeneral, katër yje, një person që ka shkollim në Oksford për politikë ekonomie e filozofi. Person që ka udhëheq aleancën më të madhe, politiko-ushtarake siç është NATO. Shto kësaj, personi që ka pasur njohurinë më t madhe sa i përket luftës së fundit në Kosovë, shtrirjes së forcave në terren. Pra nuk ka një person tjetër që mund ta kontestoj atë çka thotë Clark, kur flet për luftën”, ka thënë Mehmetaj, i cili për momentin gjendet në Hagë, nga ku po përcjell zhvillimet e Speciales.
Sipas Mehmetajt, gjenerali amerikan në dëshminë e tij konfirmoi dy pika thelbësore.
