Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka mbërritur në Izrael për t’iu bashkuar Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (International Stabilization Force – ISF), e cila pritet të angazhohet në Rripin e Gazës, raportoi media izraelite Jerusalem News Syndicate (JNS).
Sipas raportimit, pjesëtarët e FSK-së do të kenë rol mbështetës në operacion, duke kontribuar në fusha si logjistika dhe administrimi i çështjeve civile.
“Nëpunësit ushtarakë nga Kosova do të mbështesin përpjekjet për sigurinë në Gaza në fusha si logjistika dhe administrimi i çështjeve civile”, thuhet në një njoftim të Bordit për Paqe të presidentit amerikan Donald Trump, të publikuar në rrjetin social X.
JNS shkruan se kontingjenti nga Kosova i bashkohet trupave nga Maroku, të cilat kanë mbërritur në Izrael muajin e kaluar. Sipas të njëjtit burim, edhe Shqipëria dhe Kazakistani pritet të kontribuojnë me personel në këtë forcë shumëkombëshe.
