Bajram Mulaj nga Isniqi i Deçanit ka bërë publike një letër të hapur, përmes së cilës ka njoftuar se më 1 gusht 2026 ka kryer pagëzimin dhe ka kaluar nga besimi islam në besimin katolik.
"Ju lus të gjithëve që të shmangim ofendimet, urrejtjen dhe paragjykimet fetare. Fjalët e rënda lëndojnë zemrat e njerëzve dhe nuk i shërbejnë askujt. Le të jetojmë në mirëkuptim, respekt dhe vëllazëri, ashtu siç na ka hije", shkroi ai
Postimi:
Letër e Hapur
Të nderuar vëllezër dhe motra shqiptarë, kudo që jeni,
Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj shëndet, mbarësi dhe begati juve dhe familjeve tuaja.
Sot po ju drejtohem me këtë letër të hapur për t’ju njoftuar për një vendim dhe akt shpirtëror që kam ndërmarrë më 1 gusht 2026. Në këtë datë kam kryer pagëzimin tim dhe, me bindje të plotë personale, kam kaluar nga besimi islam në besimin katolik.
Ky është një vendim i marrë prej meje, pas shumë vitesh reflektimi dhe bindjeje të brendshme. Nuk është një veprim i nxituar dhe as i imponuar nga askush. Përkundrazi, është një zgjedhje e lirë dhe personale, e bërë në përputhje me ndërgjegjen dhe bindjen time shpirtërore.
Dëshiroj ta them qartë se ky vendim nuk ka të bëjë me ndarje, përçarje apo kundërshti ndaj askujt. Mbi të gjitha unë mbetem shqiptar dhe besoj se çdo njeri ka të drejtë ta shprehë dhe ta praktikojë besimin e vet lirshëm, pa frikë dhe pa paragjykime. Kjo është një e drejtë e garantuar si nga ligji, ashtu edhe nga parimet e respektit njerëzor.
Kam dëgjuar zëra se ky vendim qenka ndikuar apo imponuar nga Lëvizja e Deçanit. Dua të sqaroj publikisht se kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk jam anëtar i kësaj lëvizjeje, megjithëse i respektoj anëtarët e saj dhe i konsideroj vëllezërit e mi. Vendimi im është marrë vetëm nga unë dhe është realizuar në Kishën Katolike Shqiptare në Papiq, së bashku me disa bashkëfshatarë të mi, disa prej të cilëve janë deklaruar publikisht, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur të mos dalin në publik.
Po ashtu, kemi vendosur të organizojmë Bashkësinë Katolike në Isniq, vendlindjen tonë, ku kanë jetuar të parët tanë dhe ku ne vazhdojmë të jetojmë e të kontribuojmë. Kjo bashkësi do të ushtrojë veprimtarinë e saj në mënyrë paqësore, ligjore dhe me respekt ndaj të gjithë banorëve, pa dallim feje.
Dua t’ju siguroj se unë mbetem i njëjti njeri që kam qenë gjithmonë. Do të vazhdoj të jem vëllai juaj, miku juaj dhe bashkëfshatari juaj. Nuk do të ndryshojë as karakteri im, as dashuria ime për njerëzit, për vendlindjen dhe për kombin shqiptar. Do të vazhdoj të respektoj çdo njeri, pavarësisht besimit që ai ose ajo zgjedh të ndjekë.
Ju lus të gjithëve që të shmangim ofendimet, urrejtjen dhe paragjykimet fetare. Fjalët e rënda lëndojnë zemrat e njerëzve dhe nuk i shërbejnë askujt. Le të jetojmë në mirëkuptim, respekt dhe vëllazëri, ashtu siç na ka hije.
Falënderoj të gjithë ata që më kanë kuptuar dhe më kanë mbështetur. Edhe ndaj atyre që më kanë kritikuar apo ofenduar nuk kam asnjë mllef. I respektoj dhe u uroj çdo të mirë. Ky vendim është marrë vetëm për hir të Zotit dhe të bindjes sime personale shpirtërore.
Me respekt dhe dashuri për të gjithë,
Bajram Mulaj
Isniq, 2026
https://www.facebook.com/share/p/1GfNz2Gvt4/