Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit po ushtrohet për më shumë se dy vite nga ushtrues detyre, ndërsa procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar që në dhjetor të vitit 2024. Ndërsa, më 30 mars Kuvendi i Kosovës ka rishpallur përsëri konkurs të ri, pasi që sipas tyre asnjëri prej kandidatëve nuk i ka marrë votat e mjaftueshme.
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) për rihapjen e konkursit për këtë pozitë pati kritika duke theksuar se shkelje ligjore janë bërë nga kryetarja e tanishme e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe nga ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Marmullakaj në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se procesi ka cenuar sigurinë juridike të kandidatëve të cilët kanë marrë pjesë në këtë proces.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj këtij procesi duke e paraqitur procesin e rishpalljes së konkursit për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës si një proces i cili është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ky proces cenon të drejtën dhe sigurinë juridike të kandidatëve të cilët kanë marrë pjesë në këtë proces, lë institucionin më të lartë të vendit pa pozitën kryesore të lartë drejtuese në këtë institucion dhe rrezikon krijimin e një standardi të ri për pozitat e larta drejtuese në institucionet e qeverisjes së Republikës së Kosovës”, tha ai.
Marmullakaj shpjegoi procedurën pas përfundimit të mandatit të sekretarit në vitin 2023.
“Ajo çfarë ka ndodhë nga monitorimi jonë është vërejtur se në qershor të vitit 2023 i ka skaduar mandati ish-Sekretarit të Kuvendit të Kosovës dhe në mes të qershorit të po atij viti, është emëruar një drejtor në pozitën e ushtruesit të detyrës apo sipas legjislacionit aktual zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Dhe i njëjti e ka ushtrua këtë detyrë deri në fund të vitit 2024, kur është hapur konkursi. Në konkurs kanë aplikuar nëse nuk gaboj 11 persona për këtë pozitë, prej të cilëve dy janë përzgjedhur si kandidatë që kanë plotësuar kriteret ligjore. Dhe në bazë të ligjit kryesia e Kuvendit është ajo që e bën përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm. Pavarësisht faktit që përkitazi më legjislacionin, të gjitha procedurat kanë vazhdua edhe janë mbajtë sipas legjislacionit në fuqi dhe i është referuar rezultatit përfundimtar të Kryesisë së Kuvendit, Kryesia e Kuvendit, e cila bën përzgjedhjen finale, nuk arriti të marrë vendim dhe tre anëtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë votuar për anulimin e procesit, ndërsa tre të tjerë abstenuan. Si rrjedhojë nuk është arritë numri i mjaftueshëm i votave dhe është ardhë në konkludim që të rishpallet kjo pozitë”, theksoi ai.
Ai përmendi dy shkelje ligjore që janë bërë për këtë pozitë.
“Në këtë rast kemi dy raste të shkeljes ligjore, në bazë të ligjit për Zyrtarët Publikë në instancën e parë në ligjet e vitit 2024 është lejuar që një pozitë të mbahet me ushtrues detyre apo zëvendësues dy herë nga gjashtë muaj dhe fakti që në qershor të vitit 2023 ka skadu afati i ish-sekretarit të Përgjithshëm dhe një person ka mbajtë këtë pozitë për më shumë se një vit, është shkelje ligjore dhe shkelja e dytë ligjore është pasi që nuk parashihet me ligj që të anulohet një pozitë, njëri nga kandidatët është dashur që të zgjedhet në pozitën e sekretarit dhe prandaj vlerësojmë që Kryesia e Kuvendit ka bërë shkelje ligjore në këtë rast”, u shpreh ai.
Sa i përket përgjegjësisë, hulumtuesi fajësoi edhe Kryetaren e tanishme të Kuvendit , Albulena Haxhiun.
“Përgjegjësinë kryesore e ka Kryetarja e Kuvendit për lejimin e devijimit të procesit. Përgjegjësi ka edhe ish-kryetari i Kuvendit që nuk e zbatoi ligjin gjatë legjislaturës së tetë, dhe tani e ka kryetarja e Kuvendit por e kanë edhe anëtarët e Kryesisë të cilët me dije apo pa dije, me vullnet apo pa vullnet kanë abstenua për një proces kaq të rëndësishëm për funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thotë tutje ai.
