Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se mungesa e Kosovës në Samitin e fundit të NATO-s në Ankara nuk lidhet me ndonjë “përjashtim” të veçantë, por me faktin se vendi nuk është anëtar i Aleancës Veriatlantike dhe se këtë vit Ballkani Perëndimor nuk ishte në fokusin e diskutimeve.
Në një intervistë në KosovaPress, Maqedonci tha se në samit marrin pjesë 32 shtetet anëtare të NATO-s, ndërsa vendet partnere ftohen vetëm kur temat e samitit lidhen me to. Sipas tij, Kosova nuk ka qenë e ftuar asnjëherë të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, duke theksuar se ftesat për përfaqësuesit e vendit kanë qenë vetëm për aktivitete të organizuara në margjinat e këtyre ngjarjeve të mëdha me karakter global.
Ai shtoi se vitin e kaluar, në një aktivitet të tillë në kuadër të Konferencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishte ftuar ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa këtë vit ftesa ishte drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, mirëpo për shkak të agjendës nuk kishte mundur të ishte e pranishme në samit.
“Po dihet që Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe janë 32 vende të NATO-s të cilat janë të obliguara dhe të ftuara që të jenë pjesë e Samitit të NATO-s, si dhe në raste të veçanta ftohen vende partnere për të cilat lidhet fokusi i vetë samitit. Në këtë samit nuk ka qenë fokusi kryesor i diskutimeve Ballkani Perëndimor, kanë qenë tema të tjera dhe kjo është edhe arsyeja pse asnjë vend tjetër jo anëtar i NATO-s nga Ballkani Perëndimor nuk është ftuar të jetë pjesë e atij samiti. Pra, asnjëherë, po e theksoj edhe një herë, Kosova nuk është ftuar të jetë pjesë e Samitit të NATO-s”.
“Në margjinat e këtij samiti, e thashë, vitin e kaluar është ftuar ish-presidentja Osmani, sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentes. Po, ne kemi diskutime të vazhdueshme me zonjën (Albulena) Haxhiu për pjesëmarrjen tonë në aktivitete të ndryshme që ndërlidhen me NATO-n, me ushtrinë, me mbrojtjen. Në këtë rast besoj që ka qenë agjenda e saj që e ka pamundësuar. Po ky është një aktivitet i veçantë që organizohet nga një organizatë që është Këshilli i Atlantikut, ku ftesa ka qenë për një takim, mund të themi një drekë të përbashkët, një ‘round table’. Dhe unë vlerësoj që, duke mos qenë pjesë e diskutimeve të samitit, duke qenë vetëm në margjinat e tij, është vlerësuar që të mos jetë pjesë e ndoshta atij ‘round table’, atij aktiviteti që është realizuar”, deklaroi Maqedonci.
Duke folur për samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në Tiranë, ministri në detyrë i Mbrojtjes u shpreh optimist se Kosova do të ketë mundësi të jetë e pranishme në ndonjë aktivitet gjatë zhvillimit të tij.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës po vazhdojnë angazhimin diplomatik për afrimin me Aleancën, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme po komunikon vazhdimisht me shtetet mosnjohëse për të eliminuar pengesat në procesin e anëtarësimit.
“Patjetër që është shumë i rëndësishëm fakti që samiti i ardhshëm është planifikuar të mbahet në Tiranë për shumë arsye. Normalisht që raportet tona janë të jashtëzakonshme dhe të veçanta me Republikën e Shqipërisë, si në aspektin e mbrojtjes, por edhe në të gjitha fushat. Besoj që Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, më saktësisht institucionet në Republikën e Shqipërisë, sepse ky Samit i NATO-s bëhet në nivel të krerëve të shtetit, do të angazhohen që Kosovën ta kemi prezente në ndonjë aktivitet në Tiranë gjatë samitit. Mirëpo edhe ne jemi duke vazhduar të bëjmë punë të jashtëzakonshme për ta përafruar Kosovën me NATO-n, veçanërisht në mbrojtje dhe siguri. Unë besoj që fakti që po mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor një Samit i NATO-s, veçanërisht fakti që po mbahet në Shqipëri, neve na jep mundësi, na jep hapësirë për të shtyrë përpara përafrimin e Kosovës me NATO-n. Mirëpo normalisht kjo, e thashë edhe një herë, nuk varet vetëm nga përpjekjet tona, edhe pse këto përpjekje nuk duhet të ndalen dhe nuk janë duke u ndalur. Ministria e Punëve të Jashtme në vazhdimësi kontakton dhe gjen forma për të komunikuar me vendet mosnjohëse në mënyrë që të mos mbesin pengesë e anëtarësimit tonë në NATO. Gjithashtu unë, si ministër i Mbrojtjes, në vazhdimësi kam tentuar që të gjejmë mënyra për të komunikuar me këto vende”, theksoi ai.
