Kosova do të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gazë. Sipas ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kështu Kosova po shndërrohet nga konsumues i sigurisë në kontribuues për paqen globale.
Në dhjetor të vitit 2025 SHBA-ja thuhet se u ka kërkuar zyrtarisht 70 vendeve, mes tyre edhe Kosovës, të kontribuojnë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), e cila synon të mbështesë ushtarakisht procesin e paqes në Gazë. Më 11 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh në parim i gatshëm të miratonte dërgimin e trupave. Më 30 mars 2026, qeveria e tij e miratoi njëzëri këtë vendim, ndërsa më 17 prill vendimi u votua po ashtu njëzëri edhe në parlament.
Parlamenti miratoi fillimisht një kontingjent prej 22 ushtarësh. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëhet fjalë për personel nga fusha të ndryshme ushtarake, përfshirë çminimin dhe eliminimin e mjeteve të pashpërthyera, planifikimin e operacioneve speciale, si dhe ekipe mjekësore.
Pjesëmarrja e Kosovës në operacione ndërkombëtare
Kosova ka treguar edhe në të kaluarën gatishmëri të madhe ndaj interesave të politikës së jashtme amerikane, si shenjë mirënjohjeje historike për mbështetjen e Uashingtonit, për shkak të varësisë strategjike nga Perëndimi, por edhe për arsye pragmatike, si shteti më i ri dhe një nga më të vegjlit në Ballkan.
Ministri Maqedonci kujton se në vitin 2021 Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në një operacion nëLindjen e Mesme, së bashku me Gardën Kombëtare të Ajovës, në kuadër të operacionit “Inherent Resolve”, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, në Mbretërinë e Bashkuar aktualisht vepron një ekip instruktorësh të FSK-së, si pjesë e operacionit “Interflex”, për trajnimin taktik të rekrutëve ukrainas. Në Kosovë po trajnohen gjithashtu oficerë, ushtarakë dhe profesionistë ukrainas në fushën e çminimit.
Kosova ka marrë pjesë edhe në operacione të tjera, si në Ishujt Falkland dhe në Belize, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar. Përveç kësaj, FSK-ja ka zhvilluar më herët edhe operacione humanitare në Turqi dhe Shqipëri.
Shpresa për forcimin e pozitës ndërkombëtare
Kosova shpreson që pjesëmarrja në misionin në Gazë do ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe do t’i sjellë prestigj dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë.
