Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se Ministria e Mbrojtjes është në koordinim me Ministrinë e Financave për të gjetur zgjidhje për pagesën e orëve shtesë të ushtarëve, ndërsa thekson se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të dërgojë pjesën tjetër të kontingjentit në misionin ndërkombëtar në Gaza sapo të merret kërkesa nga komanda e misionit. Ai deklaron se FSK-ja ka tejkaluar objektivat e planit të tranzicionit, falë investimeve në armatim, pajisje dhe trajnim.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci tha se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka ndërmarrë hapat konkretë për pjesëmarrje në këtë mision, duke dërguar fillimisht ekipin për vlerësimin e terrenit dhe më pas oficerët ndërlidhës.
“Jemi në vazhdimësi, në koordinim të vazhdueshëm me shtabin kryesor të forcës ndërkombëtare stabilizuese që drejtohet nga një gjeneral amerikan. Dhe kemi qenë ndër shtetet e para që ka dërguar ekipin për vlerësimin e situatës dhe njohjen e terrenit, gjithashtu ndër shtetet e para që ka dërguar edhe trupa, që ka filluar dërgimin e trupave në mision. Kemi pasur dy pjesëtarë që janë dërguar para një muaji si pjesë e shtabit, si oficerë ndërlidhës. Gjatë këtij muaji kemi dërguar katër pjesëtarë shtesë, të cilët janë duke punuar në shtab gjithashtu, që punojnë në analiza edhe në aspektin e punëve me civilët. Gjithashtu do të dërgojmë edhe pjesën tjetër të kontingjentit pas koordinimit që do ta kemi me komandën e forcës ndërkombëtare stabilizuese. Pra, jemi në kohë, i kemi përgatitur, i kemi marrë masat përgatitore për të gjithë kontingjentin, pra nëse na kërkohet sot që të dërgojmë, ne nesër e kemi të mundshme që të dërgojmë pjesën tjetër të kontingjentit në Gaza. Janë marrë masat përgatitore, trajnimi, mbështetja financiare edhe të gjitha elementet e nevojshme bazuar në planet tona për të dërguar edhe pjesën tjetër të kontingjentit”, tha Maqedonci.
Ai theksoi se siguria e ushtarëve të FSK-së mbetet prioritet absolut, duke pranuar se misioni zhvillohet në një rajon me rrezikshmëri të lartë, por se janë marrë të gjitha masat për minimizimin e rrezikut.
“Normalisht që siguria e trupave tona është një prioritet absolut i imi, i Qeverisë së Kosovës, i komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi dërguar një ekip për disa ditë më herët për të qëndruar në atë zonë për njohjen e terrenit, për zbutjen e rrezikut edhe nga aspekti i sigurisë mund të themi, personale për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe për të marrë masat në raport me sigurinë. Normalisht që çdo mision paqeruajtës, sidomos misionet që zhvillohen në terrene ku ka rrezikshmëri të lartë, ku ka luftime, ku ka kërcënime, janë mund të themi në deri në një masë të rrezikshme. Edhe ky operacion, në tërësi ka rreziqet e veta, mirëpo ne po bëjmë përpjekjet maksimale që të zbusim rrezikun, në mënyrë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës atje që do të kryejnë detyra të ndryshme, sepse nuk do të jetë vetëm një detyrë, do të kryejnë disa detyra në kuadër të këtij misioni, të kenë siguri gjatë kryerjes së detyrave në Gaza. Arsyeja pse forca ndërkombëtare stabilizuese ende nuk është strukturuar në formatin e planifikuar është pikërisht edhe për shkak që në Lindjen e Mesme vazhdon të ketë situatë të tensionuar për shkak të luftës në mes të SHBA-ve dhe Iranit. Prandaj edhe është, mund të themi, ngadalësuar procesi i vendosjes së komplet trupave atje”, u shpreh ai.
Duke folur për transformimin e FSK-së në ushtri, Maqedonci deklaroi se shumica e objektivave të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit jo vetëm që janë realizuar, por edhe janë tejkaluar.
“Sot kemi shumë më shumë sisteme armatimi dhe pajisje nga ato që kanë qenë të planifikuara në listën e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit. Pra, ky plan mbetet ende i klasifikuar, plan që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018. Kjo është edhe arsyeja pse shpesh nuk po mundemi që në detaje të japim, mund të themi, shifra, të japim informacione që ndërlidhen me këtë plan. Mirëpo, ato që mundemi po i ndajmë. Pra, në qoftë se ai plan ka paraparë një listë të pajisjeve, armëve, sistemeve, automjeteve që duhet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës, unë mund t’ju siguroj që është tejkaluar shumëfish larmishmëria e pajisjeve. Pra, kemi shumë më shumë lloje të pajisjeve dhe armëve se ç’kanë qenë të planifikuara në plan dhe gjithashtu kemi sasi shumë më të madhe të pajisjeve dhe armëve se ç’kanë qenë të planifikuara në atë plan. Pra, kjo ka ardhur si rezultat i investimeve, mbi 460 milionë euro janë investuar vetëm në blerje të armatimeve dhe automjeteve luftarake, pra taktike luftarake, pa përfshirë këtu investimet që i kemi bërë në infrastrukturë, pa përfshirë investimet që i kemi bërë në rekrutim të personelit, në edukim dhe trajnim të personelit si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe pa përfshirë këtu edhe investimet tjera që i bëjmë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, deklaroi Maqedonci.
Ministri në detyrë gjithashtu përmendi sistemet e armatimit që sot është e pajisur FSK-ja.
“Ne edhe me kapacitetet tona punojmë në mënyrë që të, mund të themi, të zbehim atë shpenzimin financiar, pra që të kemi më pak shpenzim, të kursejmë më shumë. Shumica e rrugëve që ndërtohen në poligonin taktik në Babaj të Bokës, që është një poligon që gjithashtu gjatë këtij mandati të qeverisë e kemi marrë në shfrytëzim, një poligon ku janë 4500 hektarë, pra 45 kilometra katrorë terren ku ushtrohen njësitë tona, të gjitha rrugët që po ndërtohen atje po bëhen me kapacitetet tona. Pra, njësia jonë inxhinierike, njësia e xhenios luftarake e Ushtrisë së Kosovës, po ndërton rrugët në mënyrë që të arrijmë që investimet tjera t’i orientojmë diku tjetër. Normalisht që ka nevojë edhe për sisteme të tjera të armatimit, tani më jemi të fokusuar në dy drejtime kryesore: në mbrojtjen ajrore, pra në sistemet që do ta mbrojnë hapësirën tonë ajrore, edhe në mbështetjen ajrore me helikopterë, sepse tani më kemi kapacitete të mbështetjes ajrore, mirëpo me helikopterë po e, mund të themi, kompletojmë komplet atë.
Kemi trallallë të dronëve që i kemi aktualisht operacional në Ushtrinë e Kosovës, duke filluar nga dronët me efekt të gjatë edhe afatgjatë të qëndrimit, që janë dronët Bajraktar e deri te Skydagger e përfshirë edhe Puma që i kemi bërë, blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, të gjitha këto sisteme të armatimit kanë mësuar që sot kur kthehemi te plani gjithëpërfshirës i tranzicionit, të themi që shumë prej objektivave janë arritur. Ka edhe disa objektiva që duhet të arrihen gjatë kësaj faze. Duhet të kemi parasysh që ka pasur edhe vonesa. Ka pasur edhe pajisje që i kemi siguruar në kohë. Ka pasur edhe sisteme që i kemi siguruar para kohe“, shtoi ai.
Ai shtoi se situata e sigurisë globale, e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, ka krijuar nevoja të reja për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.
“Mirëpo, duhet të kemi parasysh që ne tani më nuk po jetojmë në një situatë mund të themi normale globale në aspektin e sigurisë, për shkak të luftërave sidomos invazionitrus në Ukrainë, që ka ndryshuar komplet këtë aspektin e sigurisë globale, por edhe të luftës në Lindjen e Mesme dhe kuptohet që luftërat pastaj vendosin kërkesa të tjera siç janë kërkesat për armatime edhe sisteme ku secili shtet obligohet edhe detyrohet që të zhvillojë më shumë industrinë e mbrojtjes edhe të punojë më shumë në këtë drejtim“, tha ai.
