Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në përgjigje të rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit, ka ndërmarrë menjëherë kontrolle zyrtare emergjente për të mbështetur institucionet kompetente në identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Në të dy lokacionet, inspektorët veterinarë të AUV-së kanë zhvilluar inspektime të jashtëzakonshme, gjatë të cilave janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni përkatës, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para, si dhe janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Në rastin e Prishtinës janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit. Mostrat janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, sipas procedurave të përcaktuara.
Analizat laboratorike janë në proces. Pas përfundimit të tyre dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrollit zyrtar, AUV do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do të njoftojë publikun për rezultatet. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren pa vonesë masat administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.
