Kryeministri shqiptar Edi Rama po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris me ftesë të presidentit Emmanuel Macron. Platforma ndërkombëtare, këtë vit sjell në vëmendje rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kontekst të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.
“Palais de l’Élysée – Me Presidentin Emmanuel Macron, për të gjitha temat me interes të përbashkët, në vigjilje të Forumit të Paqes nesër”, shkruan kreu i qeverisë krahas fotografive të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqet krah Macron.
Në kuadër të Forumit, Kryeministri Rama do të jetë pjesë e sesionit të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën europiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për brezat e rinj./TCH


