Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se LDK-sw nuk ka nevojë t’i tregojë askush se çfarë duhet të bëjë dhe se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit tashmë është te Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe se Kurti i ka numrat dhe besimin e qytetarëve për të vazhduar me konstituimin e institucioneve. Ajo tha se tashmë janë krijuar pozita të reja dhe kërkoi që fillimisht të konstituohet Kuvendi e të formohet Qeveria, ndërsa për presidentin të zhvillohet më pas një proces për gjetjen e një kandidati konsensual.
“Ai është mirë mos me na tregu se çfarë duhet me bë LDK-ja. LDK-ja flet për vete. LDK-ja e ka kryetarin edhe ka folur qartë dje. Pavarësisht relativizimit edhe kujt i thotë çka, është shumë më pak se qysh i kishte dhënë cilësimet. Është llogaria jonë edhe interesi jonë shtetëror që t’i japim rrugë kësaj pune. I kemi thënë që i ka të gjitha votat për konstituim, e ka krejt përgjegjësinë dhe besimin e qytetarëve për konstituim të institucioneve. Është i vetëm sepse s’ka dashur me bashkëpunuar edhe s’ka dashur imponim nga ana e tij. Tash jemi në pozita të reja. Jemi në pozicione të reja edhe e lusim atë që ta thërrasë, le ta konstituojnë seancën edhe ta bëjë qeverinë. E pastaj, pastaj për presidentin e kemi dëshmuar gatishmërinë tonë që të marrim pjesë në bisedime, për ta zgjedhur një president konsensual, ndërpartiak, ku pajtohemi, dialogojmë edhe e gjejmë personin i cili i plotëson kushtet për të qenë garantues i kushtetutshmërisë edhe unitetit qytetar”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja e ka mbyllur mundësinë e diskutimit për një qeverisje të përbashkët me VV-në dhe se tani kërkon konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit.
“Kemi qenë tepër të qartë dje. E kemi mbyllur këtë temë (për qeversije me VV) edhe presim konstituim të menjëhershëm. Edhe jo të kontribuojmë në një situatë me me tejkalim të afateve kushtetuese, me na sfiduar krejt sistemin tonë politik edhe krejt sistemin tonë kushtetues. Për çka? Nëse i ka numrat, ja kanë besuar qytetarët, hajde bëje Kuvendin edhe bëje Qeverinë. Ne po e dëshmojmë, krejt partitë që duam me ardhë në seancë, me konstituuar Kuvendin, ta kthejmë funksionalitetin e shtetit tonë. S’ka asnjë arsye përveçse papërgjegjësia e tij. E papërgjegjësia e një njeriu nuk mundet me qenë bllokues i pakufishëm i institucioneve tona. Edhe tash po i bëjmë thirrje edhe një herë që të vjen edhe ta konstituojë Kuvendin fillimisht, Qeverinë pastaj, edhe pastaj shkojmë tek presidenti”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së tha se qëllimi i të gjitha partive politike duhet të jetë konstituimi i Kuvendit, ndërsa paralajmëroi se LDK-ja do t’i përdorë edhe mjetet e saj politike për të ushtruar presion.
“Aktivitetet politike secila parti politike i llogarit për vete dhe e sheh pastaj ndikimin. Krejt qëllimi kryesor i të gjitha partive politike duhet me qenë konstituimi i Kuvendit. Edhe aktivitetet politike që nuk e sjellin konstituimin e Kuvendit, nuk kanë ndonjë rezultat. Prandaj ne po i bëjmë thirrje, si të jemi aty si jemi këtu, po i bëj thirrje që ta konstituojë Kuvendin menjëherë. Normalisht që ne jemi të kujdesshëm, i kemi mjetet tona si LDK, i kemi mjetet tona të presionit edhe të veprimit tonë politik, po gjithsesi i bashkohemi kauzës që Kuvendi të jetë i konstituuar sa më shpejt që është e mundur”, tha ajo.




