Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu ka komentuar seancën e djeshme të Kuvendit që ka nisur në mesditë de ka vijuar deri në orën 2 pas mesnate.
Sipas saj, të mbash Kuvend deri pas orës 2 të mëngjesit për miratimin në lexim të parë të Buxhetit, është dëshmi e krizës së shumicës parlamentare.
“Në fund të fundit, Kuvendi mbajti 16 orë spektakël, për t’i vendosur interesat e pushtetit përpara jetës së qytetarit!” shkroi ajo.
Ky është postimi i plotë i Lushaku-Sadriut:
Me mbajt Kuvendin deri pas orës 2 të mëngjesit për miratimin në lexim të parë të Buxhetit dhe disa projektligjeve të zakonshme, është dëshmi e krizës së shumicës parlamentare.
Kuvendi u kthye në arenë përplasjesh dhe sjelljesh të pahijshme, në vend të debatit përmbajtësor për ligjet që prekin jetën e qytetarëve.
Me një kulturë politike të spektaklit dhe arrogancës u miratua Buxheti për vitin 2027, që shpërfill nevojat e qytetarëve dhe vendime që i japin përparësi interesave të KEDS-it ndaj interesit të qytetarit.
Në fund të fundit, Kuvendi mbajti 16 orë spektakël, për t’i vendosur interesat e pushtetit përpara jetës së qytetarit!