Lituania ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme të martën dhe i ka kërkuar parlamentit të autorizojë mbështetjen ushtarake për policinë dhe rojet kufitare, pasi një valë balonash kontrabandistësh nga Bjellorusia ndërpreu vazhdimisht trafikun ajror në muajt e fundit.
Aeroporti i Vilniusit është mbyllur disa herë për shkak të balonave meteorologjikë, të cilat Lituania thotë se dërgohen nga kontrabandistë që transportojnë cigare dhe përbëjnë një “sulm hibrid” nga Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë.
“Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të aviacionit civil, por edhe për shkak të interesave të sigurisë kombëtare”, ka thënë ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratoviq, në një takim qeveritar të transmetuar drejtpërdrejt të martën.
Bjellorusia ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, duke përfshirë dërgimin e një droni për të hedhur “material ekstremist”, gjë që Lituania e mohon.
