Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, e akuzoi liderin e partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, se një ulëse në Kuvendin e Kosovës e ka fituar falë mbi 2.000 votave të shqiptarëve.
Ellez theksoi se popullariteti i Rashiqit është rritur te votuesit shqiptarë që nga zgjedhjet e rregullta parlamentaretë shkurtit të vitit të kaluar dhe shtroi pyetjen: “A është e mundur që serbët të përfaqësohen nga një njeri për të cilin votojnë shqiptarët?”.
Rashiq ka qenë në dy mandate ministër për Komunitete dhe Kthim në ekzekutivin kosovar të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, sipas rezultateve paraprake, Lista Serbe ka fituar 43.071 vota, ndërsa partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka marrë 5.285 vota. Bazuar në llogaritjen e votave të rregullta, Lista Serbe pritet të ketë nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, ndërkaq partia e Rashiqit pritet të ketë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
“Rezultat katastrofal në mjediset serbe, ai nuk arriti të marrë as 3.000 vota në mjediset serbe, fitoi vetëm 2.795 vota. Prandaj u kujdesën miqtë e tij, Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe ai mori 2.257 vota në mjediset shqiptare”, tha Ellek.
Nga ana tjetër, Rashiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, i hodhi poshtë këto akuza, duke argumentuar se shumicën e votave të fituara i ka marrë nga komuniteti serb, por se besimin ia kanë dhënë edhe komunitete të tjera pakicë, pasi për dy mandate ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim.
“Baza jonë janë votat serbe. Vazhdimësia e rritjes që kemi në zgjedhje është e dukshme, pavarësisht presioneve nga Lista Serbe. Në Leposaviq, kjo rritje e votave është veçanërisht e dukshme. Në dhjetor të vitit 2025 kishim rreth 830 vota, ndërsa tani kemi rreth 1.200, që do të thotë se popullariteti ynë është rritur për rreth 40 për qind”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
